
Nga Kosova u nis për në Zvicër, por, atje nuk hyri si shqiptar.
Një shtetas nga Kosova mashtroi autoritetet zvicerane duke u paraqitur si francez dhe përmes dokumenteve, ai siguroi leje pune, madje, regjistroi dy biznese në Zvicër.
Për këtë veprim ilegal, kosovari është dënuar me gjobë me kusht pasi ka mashtruar disa institucione, përfshirë autoritetet e migracionit në Gjenevë dhe Cyrih, raporton mediumi zviceran “20 Minuten”, transmeton Telegrafi.
Rasti nisi në zonën e bregut perëndimor të liqenit të Cyrihut, ku kosovari arriti të bindte autoritetet lokale se ishte francez dhe regjistroi një biznes individual në regjistrin tregtar.
Më pas, autoritetet e migracionit në Gjenevë i lëshuan një leje pune për punëtor ndërkufitar, pa e zbuluar identitetin e tij të vërtetë. Për afro një vit, ai punoi si pastrues në Zvicrën perëndimore, duke fituar rreth 3 mijë franga në muaj.
Pas kësaj, kosovari u kthye në zonën e Cyrihut, ku themeloi një tjetër kompani dhe arriti ta regjistronte atë në regjistrin tregtar duke u paraqitur sërish si francez.
Mashtrimi vazhdoi edhe kur një bashkëpunëtor i tij kërkoi nga autoritetet e migracionit në Cyrih ndryshimin e punëdhënësit. Edhe këtë herë, kërkesa u miratua pa u zbuluar se bëhej fjalë për një shtetas të Kosovës.
Kurse, mashtrimi i tij u zbulua rreth gjashtë muaj pas rastit të fundit, pasi, kur hyri në Zvicër përmes Gjenevës, ai u arrestua po atë ditë në Cyrih.
Prokuroria e Limmattal/Albis e dënoi me një gjobë me kusht prej 4,500 frangash zvicerane, me periudhë prove prej dy vjetësh. Përveç kësaj, ai duhet të paguajë edhe gjoba dhe shpenzime procedurale në vlerë prej 1,700 frangash.
Rasti tregon se si përdorimi i dokumenteve të huaja dhe paraqitja me identitet të rremë i mundësuan atij të përfitonte leje pune dhe të regjistronte biznese në disa pjesë të Zvicrës./Telegrafi/